Misioni ynë, të përmirësojmë jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre!
ANALIZA METABOLIKE PËR TE PORSALINDURIT
Depistimi i të porsalindurit mund të shpëtojë jetën e foshnjes tuaj dhe të detektojë sëmundje që mund të ndikojnë në shëndetin afatgjatë ose në mbijetesën e tij. New Born Screening është një test i thjeshtë që detekton çrregullime gjenetike të cilat mund të shkaktojnë një pengesë në rritjen dhe zhvillimin normal të fëmijës dhe gjithashtu vonesa mendore dhe/ose sëmundje kërcënuese për jetën e të porsalindurit.

Zbulimi i hershëm, diagnoza dhe ndërhyrja mund të parandalojnë paaftësitë dhe t’u mundësojnë fëmijëve një zhvillim të plotë. Me një test të vetëm ju mund të kontrolloni fëmijën tuaj për 58 sëmundje të ndryshme.

Ekziston mundësia e trajtimit për pjesën më të madhe të sëmundjeve që depistohen. Trajtimi mund të përfshijë dieta të posaçme apo medikamente. Foshnjat që marrin trajtim të hershëm dhe të vazhdueshëm mund të rriten e të gëzojnë jetë të gjatë e produktive. Vetëm për disa prej sëmundjeve të detektuara nuk ka trajtim efektiv.

Çfare është depistimi?

Depistimi është testimi i një grupi njerëzish për të identifikuar ata që kanë rrezik të shfaqin një sëmundje specifike. Depistimi neonatal identifikon të porsalindurit që kanë mundësi të shfaqin një prej sëmundjeve për të cilat testohen. Jo çdo fëmijë me një test pozitiv do të ketë një nga këto sëmundje. Konfirmimi i diagnozës do të bëhet me ekzaminime më specifike.

Si realizohet testi depistues?

Merren disa pika gjaku nga thembra e të porsalindurt të cilat vendosen në një letër filtri specifike. Letra thithëse shoqërohet gjithnjë me një formular që plotësohet nga mjeku dhe që përmban informacione të detajuara për fëmijën edhe prindërit. Mostra dërgohet në laborator ku i nënshtrohet ekzaminimit dhe brenda pak ditësh mjeku dhe prindërit do të kenë rezultatin e testit për 58 sëmundje të ndryshme.

Kur duhet të realizohet ky test?

Depistimi metabolik i të porsalindurit duhet të kryhet brenda 48-72 orëve nga lindja dhe preferohet 24 orë pas ushqyerjes me proteina, por ka disa rrethana të caktuara në të cilat ky ekzaminim shtyhet për disa ditë, në këto raste do të informoheni nga mjeku.

A është i sigurtë?

Po, ky test është i thjeshtë për tu realizuar dhe tepër i sigurtë për fëmijën tuaj.

A është i saktë?

Po. Gjaku testohet në laborator të çertifikuar. Testimi është plotësisht i besueshëm dhe procedura e standartizuar.

Çfarë duhet bërë nëse rezultati i testit është pozitiv ndaj një sëmundje të caktuar?

Nëse rezultati është pozitiv, duhen kryer ekzaminime të mëtejshme. Ju do të merrni një njoftim dhe/ose dokument informues lidhur me procedimin në vazhdim. Ju duhet të ripërsërisni testimin e fëmijës tuaj, pasi foshnjat që mbartin një nga këto sëmundje, përfitojnë nga trajtimi i hershëm.

Ky test depiston 58 sëmundje të caktuara të ndara në 3 grupe:
1. Metabolike – Reaksionet kimike në trup që prodhojnë energji dhe ndërtojnë indet.
2. Endokrine – Hormonet që ndikojnë në funksionet e organizmit.
3. Sëmundje të tjera gjenetike – Fibroza Cistike (FC).

Në Biohit kemi si qëllim të përmirësojmë jetën e fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke u angazhuar për të parandaluar çrregullime që mund të detektohen nëpërmjet këtij testi. Misioni ynë është ti mundësojmë çdo të porsalinduri një skrinim të suksesshëm, efektiv dhe gjithëpërfshirës.